Historiku

Historia e Institucionit tonë si inicues dhe zbatues i veprimtarisë komplekse e moderne të arsimit, shkencës dhe shëndetësisë përfshinë tri periudha të zhvillimit të saj: periudhën e parë e karakterizon themelimi i saj, 24.04.1975 kur Pleqësia e Universitetit të Prishtinës mori vendim për themelimin e Seksionit të Stomatologjisë si organizatë mësimore, shkencore dhe shëndetësore nga fusha e stomatologjisë.

Orët e para të mësimit praktik mbahen në laboratorin e Shkollës së Mesme të Mjekësisë të Prishtinës. Në kohën kur u themelua Seksioni i Stomatologjisë në Kosovë punuan 96 mjek stomatolog. Në këtë kohë një stomatolog vinte për 15.700 banorë. 

Seksioni i Stomatologjisë ishte i organizuar përmes këtyre njësive punuese të pavarura:

  1. Klinika e Protetikës Stomatologjike
  2. Klinika e Sëmundjeve të Dhëmbit
  3. Klinika e Sëmundjeve të Gojës
  4. Klinika e Pedodoncisë dhe Stomatologjisë Preventive
  5. Klinika e Ortopedisë së Nofullave
  6. Klinika e Kirurgjisë Orale
  7. Klinika e Kirurgjisë Maksillofaciale
  8. Laboratori i Dhëmbëve dhe Rentgenit
  9. Bashkësia punuese

Studimet pasuniversitare kanë qenë të organizuara në dy forma: përmes specializimit nga disiplinat përkatëse të stomatologjisë dhe përmes kryerjes së magjistraturës.

Deri në largimin nga objektet tona në Seksionin e Stomatologjisë ishin të punësuar 177 punëtor, 44 mjek, prej tyre me thirrje arsimore të profesorit inordinarë 4, të docentit 11, 20 asistent, 9 asistent praktikant, 29 teknikë të dhëmbëve, 50 teknikë mjekësor, 15 punëtorë administrativ dhe 32 punëtorë ndihmës.

Periudha e dytë e zhvillimit karakterizohet me kryerjen e veprimtarisë së saj jashtë ndërtesës ekzistuese. Masat e dhunshme të pushtetit serb u aplikuan me datën 08.08.1990, në klinikat e Fakultetit të Mjekësisë, kurse në Seksionin e Stomatologjisë në vitin 1991, me ç’rast filloi largimi i kuadrit mësimor shqiptar. Fakulteti i Mjekësisë bashkë me Seksionin e Stomatologjisë e rifilluan punën e tyre për vitin shkollor 1991/92 në mars të vitit 1992 dhe vazhduan deri në mars të vitit 1999. Gjatë kësaj periudhe të rëndë e me shumë vështirësi u mbajtën ushtrimet klinike nga lëndët e stomatologjisë nëpër ordinanca private të kuadrit mësimor. Pacientët kryesisht kanë qenë punëtorët e arsimit të shkollave fillore dhe të mesme nga tërë Kosova, të cilëve i’u ofruan të gjitha shërbimet stomatologjike pa kurrfarë kompenzimi. 

Një pjesë e kuadrit veprimtarinë arsimore dhe shëndetësore e realizoi në Organizatën Humanitare Bëmirëse “Nënë Terezë” Prishtinë.

Perudhën e tretë të zhvillimit e karakterizon kthimi në objektet tona në qershor të vitit 1999. Në atë kohë Stomatologjia me klinikat e veta u bë pjesë përbërëse e Qendrës Klinike Universitare deri në vitin 2003. 

Një ngjarje shumë e rëndësishme për Stomatologjinë ishte 04.11.2003, kur Ministria e Shëndetësisë nxorri Udhëzimin Administrativ 12/2003 mbi Themelimin e Qendrës Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës, si Institucion autonom e i pavarur nga QKU.

Sot institucioni me kuadrin i cili vazhdimisht rritet, përsoset dhe përparohet, ka marrë mbi vete përparimin e mëtejmë të shërbimeve stomatologjike dhe të lëndëve stomatologjike, me qëllim që të shndërrohet në një institucion bashkëkohor shëndetësor, arsimor dhe shkencor nga fusha e stomatologjisë në Kosovë dhe që në mënyrë profesionale dhe shkencore t’u ndihmojë qendrave tjera stomatologjike në Kosovë dhe të bashkëpunojë me institucionet e tjera shëndetësore kah rruga e projekteve të përbashkëta hulumtuese, takimeve të përbashkëta profesionale e tj.